Shumë prej jush ditët e fundit e kanë venë re se televizioni muzikor Mad Albania nuk transmeton më në frekuencën e tij dhe se vendin e tij e ka zenë një kanal i ri i emërtuar IN TV.
Pas më shumë se një viti, filiali shqiptar i MAD Media me investitor grek i ka dhënë lamtumirën tregut mediatik shqiptar duke u tërhequr pa komunikuar arsyet e këtij largimi të papritur për publikun, i cili e kishte përthithur më së miri frymën e re që solli Mad Tv në bërjen e një televizioni për të rinjtë, ku kryefjala ishte muzika dhe argëtimi. Megjithatë, edhe pse Mad Albania tashmë nuk do të jetë më pjesë e medias shqiptare, duket se eksperiencën e tij do e trashëgojë më së miri televizioni më i ri “IN TV”, po kështu edhe radio “IN” që do të kenë pothuajse të njëjtin programacion dhe personazhet që mundëm t’i njihnim përmes logos së Mad. Ndryshe nga sa ishim mësuar të njiheshim me televizionet e reja në Shqipëri, investitorët e rinj shqiptar kanë përzgjedhur të promovojnë televizionin e ri me një fushatë e cila ka në qendër prezantuesit e Mad, si Rudi dhe Mateo, Fatma, Einxhel, etj., të cilët hedhin hapin për t’ju bashkuar emrit më të ri të televizionit me ftesën e sloganit “…will be IN! You?”.
IN TV dhe IN Radio janë pjesë e IN Media, grupi më i ri mediatik në Shqipëri, që nga Dhjetori 2015 vjen me premtimin ambicioz për të informuar, argëtuar dhe edukuar grupmoshën më të rëndësishme të çdo popullsie: Rininë. Me një mision të qartë, IN TV synon të ruaj të njëjtën audiencë që arriti Mad Albania i vlerësuar vitin e kaluar me çmimin “Televizioni më i Mirë Muzikor” në IMA Awards 2015.
IN TV transmeton në Shqipëri në kanalin analog 37UHF, në Digitalb Satelit (kanali 51) dhe Digitalb Tokësor (kanali 116), ndërsa në Kosovë në platformën IPKO (kanali 67).