Autoriteti i Konkurencës disa javë më parë vendosi me një VKK, në mënyrë të prerë ndryshimin e disa pikave të marrëveshjes së Digitalb dhe 15 televizioneve me objekt përfshirjen eksluzive të tyre në platformën toksore dhe satelitore “DigitAlb“ në çdo formë të trasmetimit të tij në SD dhe/ose HD apo forma të tjera të teknologjisë.
Në kontratën e marrëveshjes, sipas Digitalb kanë shprehur gatishmërinë e përfshirjes në të, disa nga kanalet më të shikuara në Shqipëri dhe 2 Televizione Kombëtare: TOP CHANNEL, TOP NEWS, KLAN TV, ORA NEWS, NEWS-24, ABC NEWS, REPORT TV, UTV NEWS, SUPERSONIC, STV FOLK, KANALI FOLKLORIT, SCAN TV, IN TV, MUSICAL dhe CITY TV.
Por si i kufizonte televizionet më sipër platforma Digitalb, në mënyrë që të siguronte ekskluzivitetin e transmetimit në kategorinë Pay-TV?
Referuar VKK nga Autoriteti i Konkurencës, në pikat e marrëveshjes nga pala e DGA dhe Televizioneve, në nenin 5 “Të drejtat dhe detyrimet e X TV” përcaktohej
Në pikën 2 përcaktohet se: “X TV është e detyruar të mos ofrojë për transmetim kanalin ndaj asnjë platforme/operator tjetër satelitor, tokësor, kabllor, IPTV, Mobile TV, OTT, Catch up TV, apo çdo forme tjetër transmetimi, me apo pa pagesë brenda Territorit të Republikës së Shqipërisë, dhe kontinentit Evropian”.
Në pikën 4 përcaktohet se: “X TV nuk mund të transmetojë në faqen e saj ËEB në kohë reale apo në transmetim direkt”
Në pikën 5 përcaktohet se X TV nuk mund të jetë pjesëmarrës apo negociues në tendera që transmetojnë evente sportive Pay TV
Në pikën 6 përcaktohet se: “X TV Channel, me lidhjen e kësaj kontrate do ti bëjë me dije çdo autoriteti shtetëror, publik dhe privat se të drejtat e transmetimit të kanalit i takojnë vetëm Digitalb dhe asnjë operatori tjetër televiziv. Në rastet e transmetimit të paligjshëm të kanalit, X TV me kërkesën e Digitalb, do të jenë pjesë e mbrojtjes së të drejtave të transmetimit të kanalit në të gjithë format që parashikon legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të drejtave nga Mbajtësi i ligjshëm i tyre”.
Në nenin 6 “Të Drejtat dhe Detyrimet e DGA” vihet re se: 1. Sipas pikës 2 “Digitalb përfiton të drejtën ekskluzive të transmetimit dhe distribucionit televiziv të kanalit X TV në të gjitha format e njohura të transmetimit (satelitor, tokësor, kabllor, internet, Pay Tv, Free Tv, PPV, IPTV, mobile tv, OTT, shërbim on line, ofrues shërbimi përfshirë aksesin e kushtëzuar etj, sipas legjislacionit në fuqi për mediat audiovizive). Digitalb me anë të kësaj kontrate është zotëruesi i vetëm i të drejtave për distribucionin e kanalit për ritransmetimin e njëkohshëm apo të vonuar në çdo mënyrë transmetimi, përvec atij analog të cilin e zotëron vetë X TV në zonën e përcaktuar, sipas licensimit të tij nga organi kompetent AMA”.
Në nenin 8 “Ndalimi i konkurrencës” përcaktohet se: Në pikën 1 – Gjatë gjithë periudhës së vlefshmërisë se kontratës X TV nuk do te ndërmarre asnjë detyre apo veprimtari te ngjashme me atë te përcaktuar ne objektin e kësaj Kontrate, për llogari të palëve të treta të cilat mund të jenë në 5 konkurrencë me “Digit-Alb”, të konsideruara platforma PAY TV, të çdo lloj forme teknike transmetimi brenda territorit dhe afatit të kësaj kontrate.
Në pikën 2 – Në rast se X TV merr dijeni per transmetime te paautorizuara te kanalit X TV, brenda territorit te kontrates, X TV do te jete pergjegjes qe:
i. te njoftoje menjehere DigitAlb me nje nga format e pranuara te komunikimit (pervec rasteve kur X TV eshte njoftuar nga vete Digitalb per shkeljen);
dhe ii. te njoftoje autoritetet perkatese ne Territor per cdo shkelje te legjislacionit te zbatueshem dhe te kerkoje zbatimin e ketij legjislacioni ne fuqi.
iii. Te bashkëpunojë me DIGITALB per parandalimin dhe ndalimin e piraterise se transmetimeve te paligjshme te kanalit.
Sa shihet më sipër sipas vendimit të Autoritetit, marrëveshja prejashton nenin 4 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës por që çdo marrëveshje që kërkon përjashtim përmban klauzola antikonkurruese, nuk duhet të kufizojë në mënyrë të ndjeshme konkurrencën në lidhje me produktet apo shërbimet objekt i kësaj marrëveshje.
Sipas nenit 5 të Ligjit 9121, mund të përjashtohet nga zbatimi i pikës 1 të nenit 4 çdo marrëveshje, e cila kontribuon në përmirësimin e prodhimit ose të shpërndarjes së produkteve ose në nxitjen e progresit teknologjik apo ekonomik, nëse një pjesë e mjaftueshme e këtyre përfitimeve shkon në favor të klientëve e të konsumatorëve dhe kur: nuk përmban kufizime të veprimtarive të ndërmarrjeve pjesëmarrëse, që nuk janë të domosdoshme për të arritur objektivat e sipërpërmendur; nuk kufizon, në mënyrë të ndjeshme, konkurrencën në lidhje me produktet apo shërbimet, objekt i këtyre marrëveshjeve.
Duke shqyrtuar legjislacionin në fuqi Autoriteti i Konukurencës vendosi në ndërhyrjen e marrëveshjes përkatësisht. më nenin 5 të hiqet pika 2 “X TV është i detyruar që të mos ofrojë për transmetim kanalin ndaj asnjë platforme/operator tjetër satelitor, tokësor, dixhital, kabllor, apo çdo forme tjetër transmetimi, me apo pa pagesë brenda Territorit të Republikës së Shqipërisë ….”; dhe në nenin 5 të hiqet pika 4 : “X TV nuk mund të transmetojë në faqen e saj WEB në kohë reale apo në transmetim direkt”.
Ky vendim erdhi edhe si pasojë e shtrimit të arsyeve të platformave Tring dhe transmetuesi kabllor ABCOM, qe e kanë të pamundur të marrin kanalet më sipër, e veçanërisht dy televizionet kombëtare, Top Channel dhe TV Klan, qe kanë audiencën më të madhe në televizionet shqiptare, duke i hapur këtyre të fundit mundësinë për të transmetuar në çdo platforme, ofrues kabllor por edhe online.
Copyright IMAlbania.com