Diedon Musa djali nga Mitrovica i cili pushtoi zemrat e të gjithë fansave të tijë në reality show-n Big Brother me sa duket nuk i buzëqeshi fati për t’a çuar deri në fund misionin e tij. Javën që lamë pas ai u eliminua nga shtëpia më e famshme në Shqipëri duke lënë brenda gjysmën e tijë më të mirë, Albën, vajzën energjike me të cilën po përjeton një lidhje të fortë dashurie. Të menduarit dhe të logjikuarit me sa duket nuk qënka arama e duhur për të rrëmbyer trofeun e këtij reality por Diedoni ka arritur të fitoj diçka akoma më të vyer, zemrën e Albës, një nga pretendentet për fitore të këtij edicioni. Pas daljes nga shtëpia e Big Brother, ai ka rrëfyer ekskluzivisht për Info Media –Albania eksperiencën e dy mujore në shtëpi dhe përballjen me realitetin.
Diedon si ndiheni tashmë që jeni jashtë shtëpisë më të famshme në Shqipëri?
Ndihem i relaksuar, i lumtur që pata mundësinë për ta jetuar një përvojë të tillë.
Sa e vështirë ka qenë për ju përballja me realitetin mbas 2 muaj izolim?
Nuk ishte shumë e vështirë, ishte shumë e mirëpritur për shkak se na kishte marr malli pafund.
Cili ishte gjëja e parë që bëtë mbasi dolët nga studio e Big Brother?
Telefonova mamin për t’ja dëgjuar zërin, dhe për tu mbushur me energji dhe forcë.
Tashmë ju jeni kthyer në Mitrovicë. Si ju pritën familjarët dhe banorët?
Një nga gjërat e bukura pas Big Brother ishte mikëpritja ime në Mitrovicë, si nga familjarët dhe shoqëria, ashtu edhe të tërë njerëzit që kishin mbetur të kënaqur me lojën time.
Sipas jush çfarë nuk shkoi mirë që detyroi publikun të mos ju votonte duke ju nxjerrë jashtë shtëpie?
Mendoj që niveli intelektual dhe i sjelljes, që ishte në një diskrepancë në mes meje dhe disa të tjerëve aty brenda bëri që të mos jepja më shumë nga vetja, për të mos rënë në një nivel ku nuk e shihja veten time.
Mendoni që ju penalizoi qetësia që ju karakterizon edhe në jetën e përditshme? Aty brenda a duhet bërë shumë zhurmë për asgjë?
Mund të jetë qetësia ime e zgjedhjes së problemeve dhe polemikave ajo që ka ndikuar, por gjithsesi nuk munda të dal jashtë vetes sime, ky jam unë, të gjitha problemet i zgjidh me mendje me logjikë dhe arsye, por asnjëherë nuk e shoh zgjidhjen e problemit nëpërmjet ofendimit, ngacmimit apo ngritjes së zërit. Në këtë edicion këto tri të fundit ishin komponentët kryesore të ditës.
Sapo ju keni dal nga shtëpia e Big Brother, Alba e dashura juaj shpërtheu në lotë. Si e komenton Diedoni këtë?
Lotët e Albës besoj që flasin më shumë se gjithçka tjetër por vetëm dua të cek që besoni ose jo, çdo lot i saj kalonte nëpër trupin dhe shpirtin tim.
Mes Diedonit dhe Albës aty brenda kishte dashuri të vërtetë?
Besoj që dashuria e vërtetë, nuk ka nevojë për fjalë, por për vepra. Veprat, gjestet dhe çdo gjë që jetuam aty, janë ato të cilat i japin përgjigjje kësaj pyetje.
Ktë javë që ti ke lënë shtëpinë, Alba ka qënë gjithmonë në lotë duke kujtuar momentet më të bukura në shtëpi. Si e shikon Diedoni, Albën tashmë nga ekrani i televizorit?
Albën nga televizori e shikoj jo vetëm si i dashuri i saj tashmë, por edhe si një fans i zjarrtë që do mundohet deri në atomin e fundit që t’ia japi fitoren Albës që e meriton më shumë së të tjerët.
Tani që keni dal jashtë shtëpisë keni pasur mundësi të lexoni më shumë për Albën dhe jetën e saj. A është bërë ndopak pishman Diedoni për këtë lidhje?
Të them të drejtën, pasi kam dal nga shtëpia, unë vetëm që jam suprizuar nga fjalët e mira të njerëzve për Albën.
A mendoni se sjellja e Albës e ka sfumuar lojën tuaj?
Jo nuk e mendoj. Por edhe sikur të jetë ashtu, prapë nuk do bëja asgjë ndryshe me Albën përkrah.
Dalja juaj ishte e papritur për fansat dhe një pjesë të publikut. Po ju a prisnit eliminimin?
Të them të drejtën nuk e kam menduar. Është fakt që jam ndjerë i lodhur shumë kohën e fundit dhe përshkak të izolimit më shterronin energjitë çdo ditë.
Mendoni që kishte banor të tjerë që duhet të linin atë shtëpi përpara jush?
Duke pasur parasysh që koncepti im ndaj këti formati ishte që nëpërmjet tij, të japim një mesazh për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, të japim një vlerë dhe një mënyrë më të mirë të menduarit dhe të vepruarit, unë gjithsesi mendoj që kishte shumë banorë të tjerë që do duhej të dilnin para meje, për mos thënë të gjithë të tjerët.
Cilët do mbeten miqtë e Diedonit edhe jashtë mureve të shtëpisë së Big Brother?
Unë kam pasur raport relativisht të mirë me të gjithë, prandaj besoj që do kem mardhënie të mira me të gjithë. Eshtë normale që me dikë më shumë dhe me të tjerë më pak, për shkak të largësisë që gjendemi.
A e fitoi Diedoni, Big Brother-in e tij?
Une them që e fitova Big Brother-in tim. Mesazhi im në shoqërinë shqipëtare besoj që nga shumica është kuptuar drejtë, fjalët e mira dhe lavdatat që më janë bërë më kanë lënë të kuptoj që janë kuptuar drejtë nga një pjesë. Ndërsa pjesa tjetër që nuk e ka kuptuar mirë do shpresoja shumë që ta ngrinte veten në një nivel më të lartë arsimor dhe të kuptonte drejtë.
Si kanë qenë komentet e fansave pas daljes tuaj?
Kan qënë shumë, shumë komente të mira, ka pasur persona që kanë ardhur duke qarë në drejtimin tim, duke më thënë fjalët më të mira.
Cilët duhet të jenë finalistët e këtij edicioni sipas Diedonit?
Mendoj që në finale duhet të jenë Alba, Eleonora, Fabiani, janë ata që e meritojnë.
Mendon që Alba mund të jetë fituesja e këtij edicioni?
Do doja shumë dhe shpresoj shumë që Alba ta fitoj, duke pasur parasysh që është e vetmja që është vetvetja aty, dhe e vetmja që ka kaluar në çdo situatë aty brenda, si debate, sherre, zënka, deri në dhunë fizike e psiqike.
A ju ka zhgënjyer ndonjë banorë me sjelljen e tij tani që e shihni jashtë shtëpisë dhe brenda saj mbante tjetër qendrim?
Të them të drejten, nuk i mar me armiqësi asnjëherë fjalët që i dëgjoj, përderisa është një lojë, e konsideroj të tillë dhe si kundërshtarë që janë u lejohet ngapak hile (Qesh).
Mendon se lidhja e juaj me Albën do të vazhdoj edhe jashtë shtëpisë së Big Brother?
Patjetër që do vazhdoj dhe e pres me padurim momentin që Alba të dal nga aty me fitore.
Ju dhe Alba brenda Big Brother keni bërë plane për martesë. A mendon që do realizohet kjo ceremoni jashtë?
Besoj që planet për në botën reale, duhet ti bëjmë në botën reale, kështu që planet e bëra aty do kenë shumë ndryshime brenda përmbajtjes.
Cilat janë planet e Diedonit tani pas Big Brother?
Do vazhdoj të jem Diedoni i njëjtë, duke i mbrojtur vlerat njerëzore dhe duke i shfrytëzuar mundësite e reja që do më jepen.
Një mesazh për të gjithë fansat dhe ata që do e lexojnë këtë intervistë në InfoMedia-Albania?
Dua që ti përshëndes të gjithë fansat dhe ata që më kanë përkrahur dhe besoj që mesazhin tim e kanë kuptuar në mënyrë të drejtë. Gjithashtu, dua t’ju them që nacionalizmin dhe patriotizmin ta forcojnë me arsimim, dijen, punën dhe atdhedashurinë. Fjalët e kota, sharjet, dhe pseudopatriotizmat janë ato që e kanë lënë këtë shoqëri në këtë greminë. Ju dua pafund.
Ekskluzive InfoMedia Albania / Intervistoi G. Qerimi